Sasha Milivojev - Djali i shtëpisë së verdhë

Media ruse publikon një ekstrakt nga libri "Djali i shtëpisë së verdhë"

"Zëri i Rusisë": Klinika e llahtareve në Shqipëri

Personazh kryesor, një 12- vjeçar që i shpëtoi vdekjes

 

22 - SPECIALE
E martë 30 Tetor 2012
GAZETA SHQIPTARE

 

një artikull të djeshëm, "Zëri i Rusisë" publikon një ekstrakt nga libri "Djali i shtëpisë së verdhë" i autorit serb Sasha Milivojev, ku përmes rrëfimeve të një 12-vjeçari tregohen llahtaret e trafikut të organeve të civilëve serbë brenda territorit shqiptar. Autori pretendon se megjithëse novelë gazetareske, aty janë paraqitur dëshmi të vërteta të mbledhura nga njerëz, të cilët humbën të afërmit gjatë rrëmbimeve për trafikun e organeve të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në artikullin e shkruar nga Timur Biokhin, vërehet se 12-vjeçari ka arritur të shpëtojë nga vdekja, pasi kishte qenë sëmurë në çastin që do të vritej, gjë që sipas tij, i shtyu mjekët ta shëronin fillimisht, për t'i hequr më pas organet.

Timur Blokhin

Njerëzit lidheshin të gjallë me tela me gjemba dhe hidheshin nga kodra", - kjo është ndoshta një prej kujtimeve "më të këndshme" të personazhit kryesor të librit "Djali i shtëpisë së verdhë", një novelë gazetareske e shkruar nga autori serb Sasha Milivojev. Shkrimtari ka paraqitur në vepër një fragment shumë të vogël të krimeve makabre të kryera nga terroristët shqiptarë në Kosovë përpara dhe pas agresionit të NATO-s ndaj Jugosllavisë.

Personazhi kryesor, një djalosh serb 12-vjeçar, i cili u rrëmbye në mes të ditës dhe thuajse u bë viktimë e trafikut ilegal të organeve më famëkeq "Shtëpia e Verdhë", në Shqipërinë Veriore, ku gjetën vdekjen të paktën 300 vetë, kryesisht serbë. Shumë burime të besueshme pretendojnë se organet e tyre u shitën në tregun ndërkombëtar, duke u siguruar fitime liderëve të Ushtrisë terroriste për Çlirimin e Kosovës.

Për sa informacion zotërojmë ne "Zëri i Rusisë", është media e parë ruse, e cila ka publikuar një pjesë nga "Djali i shtëpisë së Verdhë" të përkthyer në rusisht.

"Munda të nuhas erën e klorit, një erë e pakëndshme, erë që të kujtonte spitalin, barnat. Dyert u hapën dhe u verbuam nga drita që lëshonin llambat mbi tryezën e operacionit. Arrita të shoh mjekët dhe një person të shtrirë mbi tryezë, nga trupi i të cilit ata nxorën diçka përmes disa shiringave të mëdha. Isha veç fëmijë dhe isha i llahtarisur, nuk e kuptoja atë që po ndodhte. Arrija të vëreja vetëm se viktima qe mbledhur kruspull, si të qe një mace: gjunjët i kishte të bashkuar dhe shpinën të përkulur.

U ulëm në një kënd dhe prisnin që ndërhyrja kirurgjikale të përfundonte. Mjekët nuk mbanin veshjet tipike qe përdoren gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Mbanin dorashka gome dhe përparëse me ngjyrë jeshile. Më kujtohet dyshemeja ku u ula për t'u lutur për mëshirë, e mbushur me shiringa, shishe plastike bosh dhe garza të përlyera me gjak. Tryeza ku kryheshin operacionet qe gjigande... e vranë viktimën, të cilit i hoqën shtyllën kurrizore, e vendosën mbi një shtrat me rrota dhe e nxorën nga dhoma.

Pas kësaj sollën personin gjysmë të vdekur që e kisha parë në një qeli ndërsa kaloja nëpër korridor. Ishte i tëri i verdhë, plot plagë dhe delironte. E vunë nën anestezi. Nxitonin shumë. Vunë në fytyrë maskat kirurgjikale dhe përgatitën enët mbajtëse. Viktima qe lidhur në një lloj aparati, i cili mbase shërbente për t'i thithur gjakun. Nisa të humbja ndjenjat...

Më përndjekin vegime të llahtarshme. I pashë teksa prisnin një kufomë me sharrë. Viktima qe fillimisht i mbështjellë me çarçafë e më pas me plastikë të trashë. Më pas disa njerëz erdhën dhe morën copat e prera të kufomës. Trembesha se më kishte ardhur radha mua për të më vendosur mbi tryezë, por nuk nxora zë, pasi trembesha nga burri pa flokë që më kishte drejtuar armën. Duke qenë se isha i sëmurë nga hepatiti akut, vendosën që së pari të më kuronin e më pas të më hiqnin organet. Atëherë ndodhi që unë arrita t'i shpëtoja shtëpisë së llahtarshme, duke marrë me vete horrorin e vdekjes. Thonë që koha shëron gjithçka. Nuk shëron asgjë. Shkatërron. Brenda meje tani gjen veç rrënoja, rrënoja të pluhurosura e të varrosura".

Në intervistën e dhënë për "Zërin e Rusisë", autori i novelës, Sasha Milivojev tregoi se si e kishte krijuar librin "Djali i shtëpisë së verdhë", personazhi kryesor i të cilit ia kishte dalë të arratisej nga spitali e t'i shpëtonte vdekjes.

Kur studiova listën e njerëzve të rrëmbyer në Kosovë e të zhdukur pa lënë gjurmë, zbulova shumë detaje mbi fatin e tyre të llahtarshëm. Në listë numërohen 1.128 vetë gra, fëmijë e priftërinj. Nuk gjendet asnjë gjurmë e tyre... e mblodha materialin për novelën duke folur me dëshmitarë që humbën të afërmit në Kosovë... autori i një novele ka të drejtë të imagjinojë ngjarje e ndodhi, por në këtë rast nuk mu desh të sajoj asgjë: në këtë rast mjaftojnë ngjarjet reale, ndodhi të një realiteti makabër. E pashë gjithçka si në një ekran kinemaje. Nuk isha unë ai që nisi luftën në Kosovë. Mbi mua u hodhën gjithashtu bomba në vitin 1999 për shkak të çështjes së Raçakut, vendi ku u pretendua se serbët masakruan shqiptarët.

Ishte NATO ajo që bombardoi serbët dhe u ndezi shqiptarëve dritën jeshile të përzinin e të vrisnin njerëzit tanë, si dhe të krijonin një shtet kriminel në territorin e atdheut tonë, me ndihmën e parave të ardhura nga shitja e mineraleve që na vodhën, si dhe nga organet e trafikuara prej civilëve të rrëmbyer. Dhe nëse dikush do të vërë në heshtje çështjen e transplantimit ilegal të organeve në Ballkan, do të thotë se ai person ose është duke mbrojtur veten apo dikë tjetër nga drejtësia, ose turp i përbotshëm. 

Novela "Djali i shtëpisë së verdhë" duket se është në gjendje t'i demonstrojë botës se ne nuk jemi "njerëzit më të prirur drejt gjenocidit në mbarë botën", siç kërkojnë të na portretizojnë. Prokurorët serbë duhet të bëjnë publik informacionin për varrezat sekrete në të njëjtën formë siç bënë publike dëshminë e dëshmitarit që tani gjendet nën programin e mbrojtjes, një ish- pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tregoi për heqjen e zemrës nga një serb i gjallë. Duke vepruar kështu ata mund të vërtetojnë gjenocidin ndaj serbëve.

 

 

Sasha Milivojev - Djali i shtëpisë së verdhë - Saša Milivojev